
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, i ka kërkuar sërish dorëheqjen ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, pas deklaratës së këtij të fundit, ku i referohet shqiptarëve në Maqedoni si “idiotë”.
“Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, shkruhej në një mesazh të Hoxhës, që u shpërnda në rrjetet sociale, në një grup WhatsApp, gjatë diskutimeve për situatën me shqiptarët në Maqedoni.
Gjithashtu, Këlliçi ka publikuar një tjetër foto, ku pretendon se Hoxha është larguar nga grupi ku ka dërguar mesazhin.
Gjithashtu, Këlliçi sjell në vëmendje se ministri i Jashtëm po përpiqet të manipulojë situatën duke sjellë orë të ndryshme komunikimi sipas zonave të caktuara ku ora është e ndryshme.

Ndërkohë, në një reagim për A2 CNN, gjatë ditës së djeshme, zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi, ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe duke theksuar se ministri Hoxha nuk ka përdorur gjuhë fyese.
Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen, ditën e djeshme reagoi edhe ministri i Ekonomisë dhe Punës në Maqedoninë e Veriut, Besar Durmishi, i cili e ka cilësuar të papranueshme gjuhën që i atribuohet Hoxhës, duke kërkuar sqarim dhe reagim zyrtar nga Tirana.
Në reagimin e tij, Këlliçi shprehet:
“Ferit, nuk ke pse vazhdon të diskreditosh veten!
Nuk të mbron dot as ‘time zones’ të ndryshme dhe as dalja nga grupet e WhatsApp-it. Je thjesht skandaloz dhe këtë po e fakton nga ora në orë.
Jep dorëheqjen dhe kërko falje publike për këtë turp dhe skandal të pashembullt!”
(A2 Televizion)