Në dokument vlerësohet edhe një herë procesi i vetingut në drejtësi, i cili konsiderohet i përfunduar, por tërhiqet vëmendja për mungesën e magjistratëve në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD). Po ashtu, raporti ngre shqetësime për përpjekjet për intimidim ndaj sistemit të drejtësisë.
“Megjithëse gjyqësori mbetet i qëndrueshëm, vazhduan përpjekjet për ndikim të padrejtë ndaj institucioneve të drejtësisë, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve.”
Lufta kundër korrupsionit vijon të mbetet një nga testet kryesore për Shqipërinë, por Komisioni Evropian tërheq vëmendjen edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional.
“Koordinimi me organet e zbatimit të ligjit mbetet i dobët. Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të pranishme në Policinë e Shtetit, në prokurimet publike dhe në sektorët me rrezik të lartë, për të cilët Shqipëria aktualisht po zbaton vlerësime të rrezikut. Ndërsa efektiviteti dhe transparenca e verifikimit të deklarimeve të pasurisë janë përmirësuar, mangësi vazhdojnë të mbeten.”
Debati i ashpër në Parlamentin e Shqipërisë ka zënë një vend të rëndësishëm në raport, ku theksohet se ai ka ndikuar në cilësinë e vendimmarrjes.
“Vazhdojnë shqetësimet lidhur me cilësinë e procesit legjislativ, përfshirë zbatimin e qëndrueshëm të hartimit të politikave të bazuara në prova dhe efektivitetin e konsultimeve publike. Polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në punën parlamentare.”
Komisioni Evropian ka tërhequr vëmendjen edhe mbi rolin e medias, duke theksuar se shpërndarja e drejtë e reklamave shtetërore dhe e burimeve të tjera publike ende nuk është e garantuar.
(A2 Televizion)