Reforma spitalore, Sala: Shërbimi afër banorëve, Kavaja me spital bashkiak

Nga Ornela Joti
25 Prill 2026, 13:08 | Politikë

Reforma spitalore, e cila synon ofrimin e shërbimeve sa më pranë pacientit, pa lëvizur nga një spital tek tjetri, po shtrihet në të gjithë vendin. Nga Kavaja, ministrja e Shëndetësisë njoftoi se spitali i këtij qyteti ka marrë tashmë statusin e spitalit bashkiak, duke shkëputur varësinë nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Por çfarë do të sjellë për banorët statusi i ri?

“Kam ardhur me një lajm të mirë. Qendra Spitalore Rajonale Kavajë shkëputet nga Spitali Universitar ‘Shefqet Ndroqi’ dhe bëhet një spital bashkiak. Është një risi, por edhe një hap i duhur në kuadër të reformës spitalore që po bëjmë në Shqipëri. E gjithë ideja e reformës spitalore është që, së pari, shërbimi të vijë sa më afër pacientit dhe ata ta marrin shërbimin pa lëvizur nga një spital në tjetrin, si dhe të fuqizojmë spitalet rajonale dhe ato bashkiake.

Në bashkëbisedimin me mjekë dhe personelin shëndetësor, ministrja kërkoi bashkëpunim të ngushtë mes mjekëve për rritjen e cilësisë së shërbimit, në funksion të pacientit dhe nevojave të komunitetit.

Ndërsa, drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Taulant Balla, u shpreh se ky transformim i shërbimit shëndetësor i nevojitej Kavajës, jo vetëm për popullsinë e zonës, por edhe për numrin e lartë të turistëve gjatë sezonit turistik.

“Janë 1 milion turistë që vijnë në Golem, të cilët në rastet e trajtimit shëndetësor është dashur të dërgohen për trajtim të specializuar në QSUT apo në spitale të tjera. Për shkak të kapaciteteve të mira akomoduese, me 86 shtretër në Spitalin e Kavajës, që mund të jenë në dispozicion jo vetëm të banorëve të Kavajës dhe të Rrogozhinës, por edhe për këtë dimension të rëndësishëm, si dhe për shkak të pozicionit gjeografik të Kavajës, në zemër të Shqipërisë, shërbimi i ndihmës së parë mund të ofrohet më mirë. Dua të falënderoj të gjithë mjekët dhe infermierët që janë këtu, por edhe kapacitetet e tjera që mund të na shtohen. Spitali i Kavajës mund të shërbejë mirë si një qendër pritëse e ndihmës së parë.”

Reforma e re spitalore synon decentralizimin e shërbimeve shëndetësore dhe ofrimin e tyre sa më pranë banorëve të zonës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos