Pas Partisë Socialiste që në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar tregoi ambiciet e saj se si duhet bërë reforma administrativo-territoriale, edhe demokratët duket se kanë gati draftin e tyre.
Sali Berisha mblodhi në një tryezë ekspertët dhe shoqërinë civile për të treguar vizionin e tij për reformën territoriale. Sipas lideri demokrat reforma e 10 viteve më parë ka dështuar dhe ka shpopulluar vendin, ndaj sipas tij zgjidhja është kthimi te komunat për në zonat me një numër të caktuar banorësh.
“Duhet të kthejmë komunat në të gjitha zonat kodrinore e malore ku ekzistojnë një numër i caktuar banorësh. Unë nuk mund të them aty ku nuk ka banorë, se ajo është proces i gjatë i ripopullimit. Por duhet të rikthehen të gjitha zonat kodrinore e malore në të cilat ka 1500 ose 1300 banorë”.
Opozita nuk ka artikuluar ende se sa bashki kërkojnë që të këtë në territor, por A2CNN mëson se në komision do t’i paraqesin socialistëve variantin me rreth 100 bashki.
“Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për një hartë e cila duhet të bazohet në kritere shkencore, demografike, territoriale, ku të ketë dy parime themelore, shërbimet ndaj qytetarit dhe zhvillimin e vendit”.
Sa i takon rajoneve, duket se PD është kundër versionit të shumicës pasi sipas tyre centralizohet pushteti.
“Ndaj dhe ne i qëndrojmë rajoneve të ngritura sipas modelit të vendeve anëtare të BE-së. Rajonet janë të domosdoshme, duhet të jenë me të gjithë kapacitetet për të ju përgjigjur Europës së rajoneve”.
Berisha premtoi se demokratët do të zbresin në terren për të marrën edhe mendimin e qytetarëve e më pas do të dalin me një variant final të tyre. (A2 Televizion)