Trazohen ujërat në PS, Spiropali flet për shtypje e arrogancë, Braçe: Jam serioz për Tiranën

Nga Fjorela Beleshi
31 Mars 2026, 16:23 | Politikë

Pas afro 13 vitesh në pushtet duket që socialistët nuk po notojnë më në ujëra të qeta. Dy prej tyre po i trazojnë këto ujëra në selinë rozë, duke ngritur zërin në nivele që nuk ishin parë e dëgjuar më parë në këto vite pushteti socialist.

Dhe kritikat e para vijnë nga ish-Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, e cila ngre alarmin se partia po kthehet në një strukturë të mbyllur dhe flet për normalizimin e arrogancës dhe shtypjes së debatit brenda familjes politike. Pasi e largoi si nga posti i Ministres së Jashtme ashtu edhe nga drejtimi i qarkut të Tiranës, socialistja është rebeluar ndaj shefit të saj politik, duke e akuzuar atë për ndërtimin e një modeli që shpërblen atë që bindet jo atë që vlen.

“Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen. Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat”, shprehet Elisa Spiropali.

Në shumë rreshta ku promovohet morali politik, Elisa Spiropali nuk përmend në asnjë rresht emrin e Edi Ramës, por reagimi vjen pas përplasjeve verbale me të në mbledhjet me dyer të mbyllura. Si ish- kryediplomate, Spiropali zbulon që në Shqipëri tonë Europa përdoret vetëm si retorikë politike.

“Ndërkohë, Europa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten? Fitorja nuk merret, ajo provohet”, thekson Elisa Spiropali.

Ndërsa Spiropali i ka dhënë kohë të vërtetës së saj për të marrë formë, Erion Braçe është hedhur në aksion. Pasi shpalli kandidaturën nga njësia 5 për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe mori duartrokitjet nga socialistët e bastionit të majtë në kryeqytet, ua bën të qartë atyre që e dua dhe atyre që nuk mund ta duan se kjo “ofertë” e tij nuk është vetëm një shashkë politike.

“E kam seriozisht”, thotë Braçe.

Pikëpyetja që ngrihet në këtë fazë është: A është rebeluar Braçe nga zgjedhja që ka bërë Edi Ramë për kryeqytetin, ku në nëntor e konfirmoi Ogerta Manastirliun si kandidate të PS edhe pasi Kushtetuesja zhbëri dekretin e Begajt për zgjedhje të parakohshme në Tiranë, apo është një skemë e dakordësuar?. Në “takimet e shtëpisë”, siç i quan Braçe mbledhjet e asamblesë në njësitë është shprehur se këtë propozim nuk e ka bërë vetëm për karrige, por nga ana tjetër nuk I ka fshehur pakënaqësitë për katapultimin e demokratëve me bekimin e kryeministrit në institucione shtetërore dhe jo vetëm.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos