Maxhoranca dhe opozita u përplasën në sallën e Kuvendit për emërimin e Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit. Demokratët e cilësuan Skënder Hitën si emërim politik në krye të policisë, ndërsa maxhoranca si një oficer të sukseshëm karriere.
Skënder Hita u bë kryefjalë e debatit parlamentar. Opozita doli në foltoren e Kuvendit duke atakuar emërimin e tij në krye të Policisë së Shtetit si të paracaktuar në bazë të interesave politike.
Klevis Balliu u shpreh: “Për inkriminimin e Policisë së Shtetit nuk flet opozita, por raportet ndërkombëtare”.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mori disa minuta përpara se sa t’i kthente replikën demokratëve, dhe në fjalët e përzgjedhura vlerësoi numrin 1 të Policisë së Shtetit, por nuk i kurseu akuzat nda opozitarëve.
“Duke qenë se këtu çdokush anatemohet, i vetmi faj që ka çdo punonjës i policisë është që kur deputeti në fjalë u thirr “bukurosh”, i është bërë fiksim dhe tani nuk i ndahet këtij muhabeti dhe e përdor për politikë ordinere. Drejtorit të ri duhet t’i urojmë vetëm suksese dhe mbarësi në punën e tij”.
Fjalët e ministrit tensionuan për pak çaste opozitarët, të cilët filluan të ngritin tonet në sallë.
Seanca plenare të hënës kishte në rend dite diskutime të hapura nga parlamentarët pas një jave të dedikuar takimeve me zgjedhësit. (A2 Televizion)