Rezoluta e PPE, Çupi: Lajm i mirë për Shqipërinë. Rama, 92 mandate? Presion ndaj ndërkombëtarëve

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2024, 18:53 | Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, foli në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN pasi Asambleja Politike e Partive Popullore Europiane miratoi mesditën e së premtes rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike, ku shpreh shqetësimin për arrestimin e liderëve të opozitës, kapjen e shtetit dhe përkeqësimit të peizazhit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Deputetja e PD-së tha se kjo rezolutë është një lajm mjaft i mirë për opozitën dhe Shqipërinë.

“Është një rezolutë e mirëpritur dhe i shërben demokracisë në vendin tonë. Kjo është rezoluta e dytë në pak ditë. Rezoluta e miratuar sot në Maltë është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe opozitën. Në mënyrë të vazhdueshme opozita i ka denoncuar pikërisht të gjitha ato pika që përmenden në rezolutë dhe shqetësojnë demokracinë në vendin tonë.

Shqetësues është fakti që jemi vetëm pak muaj para zgjedhje. Jemi vetëm disa muaj para zgjedhjeve dhe jemi në kushte totalisht të pabarabarta. Ne i kemi liderët politikë në arreste, në burg. Nuk kemi një reformë të thellë zgjedhore, nuk kemi kushte të barabarta për të hyrë në zgjedhje. Kemi një pushtet të tërë të vënë në funksion të zgjedhjeve”, tha deputetja Çupi.

Më pas, Çupi u shpreh e bindur se nuk ka asnjë mundësi që kjo opozitë të sigurojë 90 apo më shumë mandate, duke shtuar se Rama i bën këto deklarata si presion ndaj ndërkombëtarëve.

“Nuk ndodh që Rama të marrë 92 mandate. Ai këtë e ka si presion ndaj ndërkombëtarëve. Këtë çështje e ka përdorur për t’i paraprirë rrezikut që i kanoset Ramës apo PS-së në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Çupi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos