Gazetari Enver Robelli duke analizuar situatën politike në Kosovë thekson që të gjitha partitë politike atje po luajnë me interesat jetike të vendit.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Robelli vuri në dukje klimën e polarizuar në politikën e Kosovës si dhe dëshirën partive kundërshtare për ta poshtëruar njëra-tjetrën.
Sipas gazetarit Albin Kurti pas fitores spektakolare në zgjedhjet e fundvitit do të duhet të kishte bërë një ofertë serioze për PDK-në dhe LDK-në sa i takon çështjes së Presidentit, që u bë shkak që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
“Kosova është futur në një qorrsokak ku bëhen premtime, por realisht zgjidhje s’besoj se do të ketë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, pasi prapë duhet të ketë një kompromis për postin e Presidentit. Kjo situatë është krijuar nga një polarizim i thellë. Dëshira për ta poshtëruar tjetrin është shumë e madhe. Partia e ka përgjegjësinë më të madhe, por lojëra luajnë të gjithë. Më 28 dhjetor kur Lëvizja Vetëvendosje i ftoi zgjedhjet në mënyrë spektakolare, do të duhej kryeministri ose lideri i atëhershëm i VV-së, t’i bënte një ofertë serioze ose LDK-së ose PDK-së për çështjen e Presidentit. Kjo ofertë nuk erdhi", tha Robelli.
"E priti momentin e fundit, një herë nxori dy kandidatë nga partia e tij, i tërhoqi, pastaj i bëri një ofertë LDK-së për koalicion, e refuzoi, ndoshta edhe nga frika se pasi z.Kurti do të kalonte urën dhe do të zgjidhte Presidentin, pas dy tre muajsh do ta largonte LDK-në nga qeveria. Mandej i tha opozitës mund t’i propozoni dy kandidatë të pavarur dhe opozita nuk propozoi askënd, ndoshta edhe nga kalkulime të ndryshme se shkuarja në zgjedhje dhe fajësimi i z.Kurti si shkaktar i kësaj krize mund t’i japë ndonjë përfitim, duke pasur parasysh edhe bashkimin e pritshëm të LDK-së me ish-Presidenten. Kemi një mish-mash interesash të ndryshme”, vijoi gazetari. (A2 Televizion)