Pak minuta pas mbylljes së mbledhjes së grupit të deputetëve të PS-së, ku shumica parlamentare bëri të ditur vendimin se do të votojë në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për kufizimin e lirisë së ish-zëvendëskryeministres Belinda Ballukut, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se po përdor mandatet si bajoneta kundër qytetarëve.
“Nuk ka ndërmend të përfillë asgjë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Ai mori në mbrojtje totale veten e tij, sepse de facto Lubia nuk ka qenë asgjë tjetër veçse noterja apo regjistruesja e të gjitha vjedhjeve 25-vjeçare të këtij kryehajduti.”, tha Berisha.
Lideri demokrat thotë se votimi kundër kërkesës së SPAK-ut nuk është vetëm një sulm ndaj drejtësisë, por do t’i mbyllë Shqipërisë dyert në Bashkimin Evropian.
“Nuk është një sulm kryesisht nga SPAK-u ndaj drejtësisë kjo që po bën, sepse në këtë drejtim drejtësia po përfaqëson ju, po përfaqëson ligjin dhe interesat tuaja. Por ky është një sulm direkt ndaj jush, ndaj dinjitetit tuaj, ndaj lirive tuaja.”, tha Berisha.
Vendimi i socialistëve për Berishën është një arsye më shumë për të thirrur qytetarët në protestën që do të zhvillohet para Kuvendit, ditën e enjte, kur do të votohet çështja e imunitetit të zonjës Balluku.
“Me datën 12, e gjithë Shqipëria para parlamentit në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur vendi. Zgjidhja është vetëm në duart e qytetarëve.”, tha Berisha.
Për vendimin e shumicës parlamentare për çështjen Balluku ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Sipas tij, Rama pranoi se është zyrtarisht peng i Ballukut. (A2 Televizion)