I ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, kreu i PD-së, Sali Berisha theksoi se ai nuk ka besim të vota, pasi sipas tij, ajo është e manipuluar nga qeveria, që e quan diktaturë.
“Nuk kam besim te vota, por te mosbindja civile. Ai i përdor të gjitha metodat për të ekzekutuar votën pa rënë në kuti”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarja Alba Alishani se pse nuk e theu arrestin e shtëpisë, por qëndroi për gati një vit në banesën e tij, Berisha u shpreh se ai ka komunikuar çdo ditë me mbështetësit e tij.
“Unë e ushtrova mosbindjes në mënyrën time. Unë komunikoja çdo natë me ndjekësit e mi. Ajo dritare u kthye në ferrin e Edi Ramës”, tha Berisha.
“Edi Rama është në rreth të kuq”, Berisha: Po punojmë për qeveri teknike
Ish-kryeministri Sali Berisha tha në Debat me Alba Alishanin se opozita nuk ka hequr dorë nga kërkesa e saj për qeveri teknike përpara zgjedhjeve të majit, pasi sipas tij, Edi Rama nuk mund të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme. Berisha shton se opozita pasi kaloi krizën, tashmë ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare dhe këtë e tregojnë dhe rezolutat e miratuara kundër qeverisë Rama.
“Opozita është e interesuar që të ketë zgjedhje sa më parë. Është një datë e zgjedhur nga qeveria. Ne nuk kemi hequr dorë nga kërkesa për qeveri teknike. Si parim ne nuk bojkotojmë zgjedhjet. Ne edhe sot nuk i pranojmë zgjedhjet. Ato janë një farsë. Të gjitha partitë e botës i quajnë fasadë. Rezolutat nuk shprehin mendimin tonë, por të vërtetën mbi zgjedhjet. Do të bëjmë gjithçka kundër diktaturës. Nuk janë shpalosur të gjitha format e mosbindjes. Ne jemi në betejë me diktaturën. Kjo diktaturë nuk rrëzohet me votë. Por diktaturat nuk bëjnë zgjedhje të lira. Edi Rama arriti të mashtrojë shumë edhe në botë. Opozita pati probleme, por sapo u ngrit dhe u bashkua, doli nga izolimi me ndërkombëtarët. Tre rezoluta nuk kanë ekzistuar kurrë kundër një qeverie në Tiranë. Ne po punojmë me të gjitha format për qeveri teknike”, tha Berisha. (A2 Televizion)