
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim zyrtar me Presidentin e Parlamentit të Rajonit të Brukselit, z. Bertin Mampaka.
Berisha shprehu mirënjohjen për Parlamentin e Brukselit dhe për institucionet federale belge në të gjitha nivelet për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite, shkruan A2.
Gjatë takimit, Berisha paraqiti situatën aktuale në Shqipëri, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment të vështirë demokratik. Ai iu referua raportit të fundit të Institutit V-Dem, i cili e klasifikon Shqipërinë si “autokraci elektorale”, duke e cilësuar këtë si një alarm serioz për demokracinë në vend.
Berisha theksoi se në Shqipëri prej më shumë se një dekade nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai u ndal në arrestimin e tre liderëve të opozitës gjatë vitit elektoral dhe iu referua shqetësimeve të ngritura nga kreu i Delegacionit të Misionit Vëzhgues të Parlamentit Europian në zgjedhjet në Shqipëri, lidhur me ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të grupeve kriminale shqiptare dhe karteleve të drogës, të cilat sipas z. Berisha kanë shtrirë aktivitetin e tyre nga Amerika Latine drejt porteve europiane, duke u kthyer në një shqetësim jo vetëm kombëtar, por edhe europian. Ai theksoi se paratë e krimit dhe trafikut të drogës po deformojnë ekonominë, veçanërisht përmes investimeve në sektorin e ndërtimit.
Z. Berisha shprehu keqardhjen për emigracionin masiv, duke bërë të ditur se mbi 1.1 milion shqiptarë janë larguar drejt vendeve të BE-së në dekadën e fundit. Ai e cilësoi korrupsionin si një problem kyç, duke përmendur rastin e refuzimit të mazhorancës për të lejuar arrestimin e një zyrtari të lartë, pas kërkesës së SPAK.
(A2 Televizion)