I ftuar në emisionin “Puls” me Bruna Çifligun në A2 CNN, Enkeljd Alibeaj ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike dhe qëndrimet e disa figurave të njohura të saj, si Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja, duke i cilësuar si pjesë e një lëvizjeje që, sipas tij, nuk po shkon deri në fund.
Alibeaj u shpreh se problemi kryesor i Partisë Demokratike është i qartë dhe i identifikueshëm, por sipas tij, mungon guximi politik për ta adresuar hapur. Ai theksoi se përgjegjësia për gjendjen aktuale të PD nis nga kryetari i saj dhe nuk mund të shmanget me kritika periferike apo qëndrime të paqarta.
Sipas Alibeajt, nëse këta aktorë politikë e kanë seriozisht shqetësimin për gjendjen e partisë dhe për interesin publik, duhet të tregojnë jo vetëm guxim moral, por edhe intelektual e politik për të vënë gishtin mbi plagë. Në këtë kontekst, ai ngriti pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë dhe koherencën e disa prej tyre në këtë lëvizje, duke vënë në dukje edhe mungesën e disa figurave në takime të fundit publike.
Duke iu referuar drejtpërdrejt thelbit të debatit, Alibeaj deklaroi: “Nëse ata pretendojnë se gjendja e Partisë Demokratike është kjo që është sot, atëherë duhet ta gjejnë shkaktarin dhe shkaktari ka vetëm një emër: kryetari i partisë. Përgjegjësia fillon nga kryetari”.
Ai shtoi se deri më tani nuk ka parë një qëndrim të qartë dhe të vendosur nga figura si Ervin Salianji apo të tjerë për ta artikuluar këtë përgjegjësi në mënyrë të hapur. Madje, sipas tij, deklarata të fundit publike tregojnë se disa prej tyre vijojnë të mbështesin të njëjtat figura edhe në zgjedhjet e ardhshme, çka e bën të dyshimtë seriozitetin e kritikave të tyre. (A2 Televizion)