
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi se brenda PD-së nuk ka pasur asnjë ndryshim thelbësor që nga viti 2013, as në mënyrën e funksionimit, as në përzgjedhjen e lidershipit dhe as në gjuhën politike. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Salianji tha se, në vitin 2026, shumica e figurave që garojnë dhe drejtojnë PD-në janë të njëjtët emra që kanë qenë aktivë edhe në vitin 2013.
Sipas tij, mungesa e rinovimit real dhe gabimet strategjike, veçanërisht pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021, kanë prodhuar një krizë të thellë besimi te elektorati opozitar. Salianji pranoi se edhe ai vetë mban përgjegjësi për faktin që nuk u kërkua largimi i Lulzim Bashës menjëherë pas humbjes, duke e cilësuar këtë si “katastrofë politike” që i hapi rrugë mandatit të tretë dhe më pas të katërt të Edi Ramës.
Ai theksoi se Partia Demokratike sot vuan nga paqartësia strategjike, mungesa e shpresës dhe një opozitë formale, pa protesta reale dhe pa mobilizim qytetar. Sipas Salianjit, PD po sillet sikur humbjet elektorale nuk kanë ndodhur, ndërsa retorika për “zgjedhje të vjedhura” është konsumuar pa asnjë veprim konkret, shkruan A2 CNN.
Ish-deputeti bëri të ditur se ka nisur turin e takimeve në qarqe për të dëgjuar demokratët dhe për të identifikuar problematikat reale të partisë. Ai paralajmëroi se në përfundim të këtij procesi do të dalë publikisht me një platformë konkrete reformimi, që synon ta kthejë PD-në në një forcë fituese, me rregulla të qarta për karrierën politike, gjuhë të re dhe lidhje reale me shoqërinë. (A2 Televizion)