
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se aktualisht nuk jemi në kushtet për të ringritur Bordin e Transparencës lidhur me luhatjet e çmimit të naftës në vend, sikurse ndodhi gjatë luftës në Ukrainë. Ibrahimaj tha se çmimi i naftës në Shqipëri është luhatur nga 10-15 për qind, ndërkohë që në bursë luhatja ka qenë deri në 40 për qind. Ajo theksoi se nëse do ketë abuzime në marzhet e fitimit, Shqipëria do të rikthejë Bordin e Transparencës.
“Kemi pasur një luhatje në çmimet e bursës me 40 për qind, në ndërkohë që çmimet në Tiranë nuk kanë pasur një rritje më të madhe se sa...janë luhatur nga 10-15 për qind. Jemi ulur, kemi diskutuar, me tregtarët kemi një eksperiencë të mëparshme gjatë krizës së Ukrainës, me krijimin e Bordit të Karburanteve. Gjykojmë që s’jemi ende në kushtet për të ringritur atë bord, ndonëse hapësira ligjore ekziston, por patjetër që nëse ne do shohim që ka luhatje dhe abuzime në marzhet e fitimit do të futemi në atë regjim, pasi qëllimi kryesor është mbrojtja e konsumatorit dhe garantimi që çmimi reflekton kostot aktuale. Nga dita në ditë, kemi ngritur një ekip nëpërmjet 3 ministrive dhe përfaqësues të agjencive të ministrive, ku monitorjmë çmimin e zhdoganimit, çmimi i bursës, taksat, TVSH-ja dhe monitorojmë çmimin në tabela në tregun e pakicës”, tha Ibrahimaj, në një konferencë për mediat në krah të kryeministrit Rama. (A2 Televizion)