
Kryeministri Edi Rama u tha furnizuesve të naftës në vend se për momentin nuk është parë e arsyeshme të ngrihet një bord për caktimin e çmimit të këtij produkti. “Nuk e kemi parë të arsyeshme që të hedhim hapim dhe të kalojmë në bord, pasi në fund të ditës, nëse dialogu funksionon, siç ka funksionuar deri tani, ne qëllimin nuk e kemi t’iu shtrëngojmë në punën tuaj, por që bashkërisht të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra mbi supet e konsumatorëve. Kjo do të thotë marzhe më të ulëta fitimi për ju, por nga ana tjetër, më mirë marzhe më të ulëta, sesa bordi në kurriz”, tha Rama.
Ai i përgëzoi ata për faktin se çmimet në Shqipëri nuk janë rritur si në vende të tjera të botës për shkak të luftës në Iran dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, shkruan A2 CNN.
“Askush nuk e di se si do të shkojë çmimi i naftës. Ju përgëzoj sepse, nëse në botë ka pasur rritje të çmimit të naftës deri në 40%, këtu ka pasur rritje, por jo në ato nivele”, tha Rama.
Ai njoftoi furnizuesit se qeveria ka ndërmarrë një nismë për të futur në treg si distributor garant shumice, një faktor shtetëror. “Kjo do të bëjë më të lehtë edhe për ju punën, pasi do të garantojë sasitë e nevojshme dhe do të lehtësojë marrëdhëniet me të tretët”, shtoi Rama. (A2 Televizion)