
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të Kryesisë deklaroi se vendi po kalon një moment historik, duke e cilësuar periudhën aktuale si “shembjen e narkoshtetit”.
Berisha theksoi se, për herë të parë pas 12 vitesh, opozita ka mundësinë reale për t’i dhënë “colpo di grazia” regjimit të Edi Ramës. Ai e quajti të premten e kaluar “të premten më të zezë të narkoshtetit”, duke iu referuar zhvillimeve në Gjykatën Kushtetuese, ku u paraqit kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në kuadër të ankimimit të shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës.
“Këto pamje i kujtuan shqiptarëve proceset e gjyqeve politike të diktaturës komuniste, si ai i Kadri Hazbiut”, tha Berisha, duke shtuar se ndonëse Veliaj për të nuk është i pafajshëm, në hetimin e tij u shkelën brutalisht të drejtat e njeriut.
Sipas Berishës, “Erion Veliaj është person që mbahet në burg për minimumi 1/100 e asaj që ka shpërdoruar”, por në këtë rast pretendon se “regjimi përdori të njëjtat metoda që Enver Hoxha përdori ndaj bashkëpunëtorëve të vet”.
Berisha përfundoi duke thënë se deklarata e Veliajt, ku e krahasoi Partinë Socialiste me FARC-un e Kolumbisë, “ishte ndoshta e vetmja e vërtetë që ka thënë ndonjëherë, sepse Shqipëria sot drejtohet nga një narkoparti dhe një narkoregjim”. (A2 Televizion)
