“Sekret hetimor” në kasafortë. Detajet e dosjes “Balluku” përplasin Peleshin me Bardhin

Nga Fjorela Beleshi
17 Dhjetor 2025, 19:17 | Politikë

Dokumentat e SPAK për Belinda Ballukun kanë përplasur kreun e grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi dhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi.

Pasi demokrati me tone të larta në korridoret e Kuvendit kërkonte provat që ka sjellë prokuroria për të arrestuar zv/kryeministren, reagoi në rrjetet sociale duke akuzuar Peleshin se i ka fshehur provat në kasafortë për të mbrojtur Ballukun dhe Ramën: “Dosja e sjellë nga SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, provon në mënyrë të plotë, se Edi Rama nuk po mbroka Belinda Ballukun, por veten e tij! Në fakt e kemi thënë që ditën e parë, por ardhja e dosjes me të dhëna shtesë në Kuvend e dokumenton këtë me prova. Çfarë turpi, Kryeministër që merret me ndarjen e tenderave!”.

Por, në një reagim për A2CNN, zyra e Kryetarit të Kuvendit sqaron Gazment Bardhin që po zbaton urdhërin e prokurorit të çështjes për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të tyre, si dhe thotë Peleshi provat nuk ndodhen në “kasafortën” e tij: “Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK”.

Këtij reagimi të Kuvendit të Shqipërisë, i është kundërpërgjigjur për së dyti Bardhi, duke e akuzuar se po merr urdhëra nga Rama se si të veprojë: “Niko, e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike! Për të zbatuar ligjin s’ka nevojë të pyesësh as SPAK, as Edi Ramën! Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit”.

Të premten, në orën 10:30, Këshilli i Mandateve do të njihet me të gjitha dokumentat e Prokurorisë së Posaçme për të vendosur nëse do t’i heqin imunitetin e deputetit Belinda Ballukut apo jo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos