
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së u vonua për shkak të mbrojtjes së votës së shqiptarëve.
Komentet Berisha i bëri në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, ku tha se kryeministri Edi Rama nuk i fitoi zgjedhjet, por sipas tij, ato ishin një farsë, shkruan A2 CNN.
Duke akuzuar socialistët se hodhën 2 miliardë euro 2 vetëm në dy ditët e fundit para zgjedhjeve për të blerë votat, Berisha shtoi se pushteti i Ramës është i lidhur me krimin e organizuar.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje shumë të përzemërt ju, anëtareve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD, të gjithë demokrateve dhe demokratëve, mbështetësve tanë kudo që janë.
Do ta filloj këtë fjalë së pari me një sqarim të domosdoshëm për vonesën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD pas zgjedhjeve të 11 majit.
Duhet të garantoj çdo demokrate e demokrat, çdo anëtare dhe anëtar të Këshillit Kombëtar se kjo vonesë ka pasur vetëm një shkak, dhe ky shkak ka qenë mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë.
Unë, dhe të gjithë ne, jemi njerëz të fjalës.
Ne mbahemi për fjalën tonë.
Dy kanë qenë, të themi, kryefjalët tona.
E para, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
E kam thënë me dhjetëra e dhjetëra herë dhe e them përsëri, por e dyta, ne u thamë shqiptarëve se do mbrojmë votën.
Dhe se mbrojtja e votës ishte prova më e madhe e seriozitetit tonë, e përkushtimti tonë, e vendosmërisë, integritetit dhe ndershmërisë tonë.
Duke thënë këtë, theksoj se fushata elektorale e vitit 2025 ka qenë fushata me programin më të shkëlqyer elektoral në tërë historinë e PD.
Ka qenë fushata me arkitektin më të aftë të fushatave elektorale, arkitektin e fitores së presidentit Donald Trump.
Ka qenë fushata, në të cilën ne garantuam mbështetje të plotë dhe totale nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë, CDI, IDU dhe vetëm 10 ditë para zgjedhjeve, Partia Popullore Europiane denoncoi pa u zhvilluar farsën elektorale që kishte përgatitur Edi Rama.
Në këtë kontekst, mund të them se farsa e vitit 2025, tejkalonte në përmasa të pakrahasueshme të gjitha farsat e tjera elektorale.
Ata të cilët duan të fajësojnë opozitën për farsën bëjnë një gabim të madh në substancë, në thelb, dhe me dashje ose pa dashje justifikojnë farsën.
Sepse për çdo qytetar, për çdo individ, për çdo politikan, që ka të qartë procesin zgjedhor, ai e di se në qoftë se gara zhvillohet midis shtetit elektoral dhe partive politike, ajo nuk është garë, por është farsë.
Për ata të cilët, përsëri në mungesë të kulturës elektorale apo për arsye të tjera, mendojnë ndryshe, u them prapë se në rast se qeveria organizon në kundërshtim me ligjin, duke shpenzuar për çdo aktivitet, organizon 4533 aktivitete, përfshi ditën e votimit 7 milionë për Giro D’Italia, ajo nuk zhvillon zgjedhje, por zhvillon farsë dhe shkel me këtë parimet themelore të dokumenteve ndërkombëtare për zgjedhjet e drejta.
Në rast se qeveria, në një proces zgjedhor, u dhuron 65 perqind të zgjedhësve 100 euro për votë, ajo nuk është zgjedhje, por është farsë.
Në rast se qeveria fal dy ditë para zgjedhjeve 2 miliardë euro gjoba dhe kamata, ato që unë i quaja 200 milionë, provohet të jenë 2 miliardë, dhe që u interesojnë 200 mijë familjeve dhe bizneseve, nga të cilat 84 mijë aktive, ajo nuk është zgjedhje, por është farsë.
Në rast se qeveria licencon në mes të fushatës elektorale mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis nga 200 që e autorizon ligji, ajo nuk është zgjedhje, por është farsë.
Në rast se qeveria mobilizon si agjentë elektoralë rrogëtarët e paguar me paratë e taksapaguesve, administratën shtetërore, përdor të gjithë logjistikën e saj, mjetet e saj, fuqinë ekzekutive të saj, ato nuk janë zgjedhje, por janë farsë.
Dhe në rast se ndonjë njeri mendon se Edi Rama fitoi zgjedhjet, mashtron veten dhe është i mashtruar.
Në rast se përdor bandat më të rrezikshme të Europës, si Troplinët e Durrësit, Suel Çelën e Elbasanit, Bajrët e Shkodrës, Xhabaftët e Vorës, Hakmarrjen për Drejtësi të Lushnjes dhe Vlorës, dhe u jep atyre listën për 28 deputetë, ato nuk janë zgjedhje, por janë farsë.
Dhe çdo njeri që pretendon se vërtet Edi Rama u votua në ato zgjedhje, mashtron veten dhe me dashje apo pa dashje mbështet Edi Ramën.
Edi Rama nuk i fitoi kurrë zgjedhjet, PD do ishte në pushtet sot në qoftë se nuk do përdoreshin 2 miliardë euro dy ditë para zgjedhjeve, 76 milionë euro në mes të fushatës elektorale, bandat në të katër anët për të terrorizuar qytetarët dhe blerë votat, etj, etj. (A2 Televizion)