"Serbia, panik i pajustifikuar", Shqipëria në Gaza, Vengu: Ende pa zonë, numri i trupave i pacaktuar

Nga Fjorela Beleshi
25 Shkurt 2026, 15:38 | Politikë

Shqipëria ende nuk e di se sa trupa ushtarake do të dërgojë në Gaza si anëtare e Bordit të Paqes. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u distancua nga harta që po qarkullon në media, pasi sipas tij ende nuk ka një përcaktim për rajonin ku do të qëndrojnë trupat tona.

“Nuk përbëjnë dokument zyrtar”, tha ai. “Nuk ka ndarje të zonave operacionale në të cilat do të veprojë një shtet apo një shtet tjetër. Është faza e planifikimit fillestar për këtë qëllim”, tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Arben Kingji. “Ne po presim përcaktimin e vendeve aleate që do të kenë rol ombrellë, në mënyrë që ne të përfshihemi brenda tyre në këtë operacion. Është një angazhim me dy faza. Shqipëria përfshihet në shtab”, shtoi Vengu. “Ne kemi deklaruar pjesëmarrjen në fazën e parë me oficerë, por nuk kemi përcaktuar ende numrin e saktë të pjesëmarrësve”, u shpreh Kingji.

Ende mbetet e tensionuar situata mes Tiranës dhe Beogradit për sa i përket bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. “Një lloj paniku i pajustifikuar sa i përket nga reagimet e institucioneve në Beograd. Ne vazhdojmë punën tonë. A kemi pasur komunikime me homologun në Beograd? Jo, përveç faktit që ne vazhdojmë t’u bëjmë ftesë të gjitha vendeve të rajonit, në fakt. Ata kanë zbatuar një politikë që quhet ‘e karriges boshe’”, tha Vengu.

Ministri i Mbrojtjes foli gjithashtu për prodhimin e dronëve, që pritet të nisë nga prilli, si dhe për Korridorin VIII si infrastrukturë kritike e NATO-s. “Korridori VIII do të ketë një pamje krejt tjetër nga momenti që komponenti rrugor, me standarde ndërkombëtare buzë Shkumbinit, të përfundojë dhe të lidhet me Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, këto do të jenë stabilizuesit kryesorë të rajonit”, tha ai.

Më shumë detaje rreth këtij investimi Shqipëria do të mund t’i japë në samitin e NATO-s, që vitin e ardhshëm do të mbahet në Tiranë, për organizimin e të cilit po shqyrtohen disa opsione, mes të cilave edhe stadiumi “Arena Kombëtare”.

Sipas Vengut, Shqipëria deri në maj, duhet të ketë bërë gati të gjithë planin e punës përgatitore për sa i përket çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos