
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, lavdëroi shërbimin diplomatik shqiptar, pjesë të cilit ka qenë edhe vetë, për punën që kanë kryer. Në një konferencë për mediat të premten, Hoxha tha se diplomatët janë profesionistë të shkëlqyer, njerëz të dedikuar, me të cilët duhet të jemi absolutisht krenarë.
“Diplomatët tanë shërbejnë në mjedise dhe rrethana sfiduese. Dikur dukej shumë simpatike lije vendin për të shkuar në një vend perëndimor, por jo të gjithë shërbejnë në vende perëndimore. Jo të gjithë shërbejnë në kushtet më të rehatshme të mundshme. Nganjëherë partnerët nuk gjejnë punë, fëmijët nuk shkollohen kollaj. Dhe mbas 3-4 vitesh duhet të lëvizin. E kam provuar edhe vetë, por për këto gjëra nuk para kemi folur, sepse do të dukeshin si shqetësime luksi në krahasim me situatën në Shqipëri. Sot nuk janë më shqetësime luksi”, tha Hoxha.
“Sot nuk është e kollajtë që kolegët të vendosin menjëherë për të shkuar në Stokholm apo Madrid. Do të mendohen mirë dhe do të vënë në balancë edhe aspekte të rëndësishme të jetës private dhe për këtë duhet të mendojmë se si të kemi incentiva më të mira”, shtoi ai. (A2 Televizion)