Me unanimitet, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur të paligjshme procedurën e përzgjedhjes së kandidaturës së Endrit Shabanit dhe votimin e tij në Parlament si Avokat i Popullit.
Referuar tërheqjes së firmave nga ana e demokratëve për kandidaturën e Shabanit, trupa më e lartë e drejtësisë vlerëson se kjo nuk mund të ushtrohet nëse akti ka prodhuar tashmë pasoja, siç ishte momenti kur verifikimi i kandidaturave kishte kaluar në Komisionin e Ligjeve.
“Qëllimi i rregullit procedural për mbështetjen e kandidatëve nga deputetët është të sigurojë efektivitetin e procedurës parlamentare, në funksion të rezultatit të saj, dhe nuk është i lidhur me ushtrimin e funksionit ligjvënës nga Kuvendi.
Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.”
Edhe pretendimi i PD-së se aktiviteti politik i Shabanit, si ish-kryetar i Nisma Thurje, e bën të papajtueshme kandidaturën e tij, u rrëzua. Për këtë çështje, trupa kushtetuese iu referua momentit të betimit të tij si Avokat i Popullit.
“Për sa i përket pretendimit për veprimtarinë politike të ushtruar nga kandidati për Avokat të Popullit, Gjykata konstatoi se, në parim, veprimtaria politike parashikohet nga Kushtetuta si shkak papajtueshmërie që ndikon në ushtrimin e funksionit.
Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar.”
Sa i përket plotësimit të kritereve profesionale të kandidaturës, Gjykata Kushtetuese vëren se ky vlerësim është në diskrecionin e Kuvendit, për sa kohë nuk konstatohet arbitraritet. (A2 Televizion)