“Edi Rama po sillet si lopë e çmendur”. Edhe në mbledhja e grupit parlamentar, Sali Berisha, komentoi gjatë ndryshimet ligjore të depozituara në Kuvend nga Edi Rama që synojnë të mbrojnë nga pezullimi disa zyrtarë të lartë të shtetit.
Sipas Berishës, amendamenti i Ramës është një sfidë e hapur me kushtetutën e ligjet dhe qëllimi sipas tij është mbrojta që ai I bën vetes. “Në amendamentin që ka sjellë për mbrojtjen e vetes së tij, për të korruptuar me ligj gjykatësit kushtetuese, i ka përfshirë edhe ata më mburojën e turpit ligjore ndaj pezullimit nga detyra. Po duhet të jesh lopë e çmendur të mos lexosh Kushtetutën, e cila në mënyrë taksative përcakton se gjykatësi kushtetues pezullohet”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Duke folur si jurist, lideri demokrat tha se kushtetuta në frymë dhe në germë lejon pezullimin, jo vetëm për kryeministrin por edhe për gjyqtarët kushtetues. “Sepse ligji i referohet frymës dhe nenit të sovranitetit kushtetues. Sovranitetit që buron nga populli. I zgjedhuri nga populli nuk pezullohet, kryeministri pezullohet sepse nuk zgjidhet nga populli. Atyre që mund të thonë, jo u them, ka kryeministra që zgjidhen direkt nga populli. Po. Ai ka emrin, kur bëhen zgjedhjet, kryeministri votohet direkt si kryeministër. Janë jo një, por disa vende të botës. Kurse ky është i zgjedhur nga presidenti. Nuk ka asnjë mburojë nga pezullimi”.
Berisha nuk tregoi nëse Partia Demokratike do ta dërgojë këtë ndryshim ligjor në Gjykatë Kushtetuese, por sërish sulmoi disa prej anëtarëve të kësaj trupe që votuan pro kërkesës së Kryeministrit lidhur me çështjen Balluku. “Imagjinoni ju Fionën, Papajorgjin, një ekstremiste ekstreme. Ta pyes unë atë, zonjë, kur Kushtetuta të pezullon ty që je në hierarkinë më të lartë të këtij shteti, na thuaj pak, thuaju pak shqiptarëve pse nuk pezullohet Lubi Balluku, apo ka paguar?”.
Gjatë mbledhjes me deputetët Berisha komentoi edhe vizitën e Ramës në SHBA për takimin e Bordit të Paqes, duke thënë se takimet në Uashington nuk do ndryshojnë asgjë në raportet e Kryeministrit me ndërkombëtarët. “Shkon hajdut kudo që shkon, kthehet hajdut kudo që të kthehet”. (A2 Televizion)