
Ashtu sikurse paralajmëroi jashtë parlamentit, deputeti socialist Erion Braçe ngriti shqetësimin për çmimin e lartë të hidrokarbureve në vend. Nga foltorja e Kuvendit Braçe tha se modeli i tregut të hidrokarbureve po ndikon në çmimin e naftës, e cila shihet të ketë tendencë rritjeje. Sipas tij Shqipëria ka çmimin neto më të lartë të hidrokarbureve në rajon.
“Kur flasim për çmimet në treg duhet të kemi parasysh faktin që jemi vend importues. Ajo që dua të flas është tregu i hidrokarbureve. Duhet të kthejmë vëmendjen nga modeli i tregut që kemi në këtë sektor. Është shumë e rëndësishme që narrativa që synon të fshehë elementë të posaçëm dhe modelin që kemi në tregun e hidrokarbureve, të mos gjejë hapësirë të mjaftueshme për të zhurmuar ose fshehur e tërhequr vëmendjen në drejtime të tjera. Kemi nivelin më të lartë të tatimeve e taksave mbi hidrokarburet. Qeveria ka lajëmruare nismë për të ulru e reduktuar akcizën. Me tregun dhe çmimet e sotme në bursë të hidrokarbureve, ne kemi çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në të gjithë rajonin. Po flas për çmimin neto, pa taksa fare që është më i larti se në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Greqi e Serbi. E gjithë kjo të çon ta fokusosh vëmendjen te modeli i tregut”, u shpreh Braçe.
Ai adresoi edhe shqetësimin për reagimin e furnizuesve të hidrokarbureve, një shoqatë që tha se funksionon si kartel dhe kërcënimet për ndërprerjen e furnizimit cenojnë sigurinë kombëtare.
“Ditë më parë dëgjova një deklaratë të shoqatës së hidrokarbureve që nuk funksion si shoqatë, por si kartel që garanton e mban çmime të larta në sektorin e hidrokarbureve. Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon në treg si kartel, tone kërcënuese për të ndërprerë furnizimin, importin e me radhë, janë tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare që duhet të marrin përgjigje duke shembur modelin e tregut të hidrokarbureve që garanton fitime, arrogancë dhe kërcënime nga operatorët në këtë treg”, theksoi ai.
(A2 Televizion)