“Shqipëria mbeti në klasë”, Berisha: Rama bllokoi integrimin. Nafta 220 lekë? Cinizëm

Nga Anesti Barjamemaj
21 Mars 2026, 17:36 | Politikë

Komunikimin e parë pas kthimit nga Brukseli, Sali Berisha zgjodhi ta kishte me qytetarët në mediat sociale. Takimet e zhvilluara në Bruksel i kanë shtuar bindjen se me Edi Ramën integrimi në Bashkimin Evropian nuk do të vijojë.

“Ai që dikur pranohej apo shpallej në mënyrë absolute të paqenë si sukses, tani ylli i tij është shuar, është një figurë e nxirë. Rastisi, por ishte koincidencë, por gjatë kohës që ne ishim në Bruksel, Mali i Zi u votua për të mbyllur kapitujt e rëndësishëm, kurse Shqipëria mbeti në klasë dhe nuk i mbylli dot”, tha Berisha, shkruan A2.

Deklaratat e Edi Ramës nga Asambleja e PS se qeveria do të ndërhynte vetëm pasi nafta të shkojë 220 Lekë, Berisha i quajti cinizëm dhe u bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë: “Është e turpshme, është cinike. Ky është një motiv për çdo qytetar të nxjerrim makinat, të bllokojmë rrugët, të mos lëmë një kryehajdut të sillet në këtë këtë mënyrë”.

Ndërkohë, demokratët reagimin e tyre edhe për krizën e naftës do ta kenë këtë të diel.

“Do të jetë kryengritja më e fuqishme paqësore dhe do të jetë mesazhi më i fuqishëm që shqiptarët i dërgojnë regjimit të Edi Ramës”, tha Berisha.

Në komunikimin e gjatë me qytetarët, Berisha foli edhe për çështjen Balluku ku sqaroi se përse deputetët demokrat edhe pse kanë dosjen e plotë nuk publikojnë asnjë akt prej saj: “Dosja Balluku nuk u është dhënë deputetëve. Atyre u është dhënë një raport për të cilin ata kanë firmosur para prokurorit se mbajnë përgjegjësi penale në rast se e nxjerrin raportin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos