
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku është shprehur se një pjesë e madhe e tenderave publikë jepen pa konkurrencë të vërtetë.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Tabaku shkruan se rreth 1 në 2 tendera publikë zhvillohen pa garë reale, ndërsa shumica e fondeve publike përfundojnë tek një numër i kufizuar kompanish që, sipas saj, kanë përfituar prej vitesh nga kontratat shtetërore, shkruan A2CNN.
Në reagimin e saj, ajo thekson se problemi nuk lidhet me teknologjinë apo sistemet digjitale të prokurimit, por me mungesën e vullnetit politik për konkurrencë të ndershme dhe transparencë.
Sipas saj, kur sistemi politik prodhon klientelizëm dhe favorizime, as teknologjia dhe as inteligjenca artificiale nuk mund ta korrigjojnë atë pa reforma të thella në mënyrën e funksionimit të shtetit.
Postimi i Jorida Tabakut:
Sistemet e prokurimit publik janë më kokëforta se propaganda. 1 në 2 tendera publikë jepen pa konkurrencë të vërtetë. Nga pjesa tjetër, shumica e fondeve përfundojnë tek një pakicë kompanish që kanë qarkulluar fonde publike për vite me radhë.
Ndërkohë, projektet më të mëdha të vendit kalojnë përmes ligjeve të veçanta, PPP-ve, koncesioneve ose "investitorëve strategjikë", shpesh në shkelje të frymës së MSA-së dhe parimeve të BE-së për konkurrencë të lirë.
Portet turistike strategjike janë kapitulli më i fundit në këtë model: prona publike dhe infrastruktura strategjike transferohen pa konkurrencë të vërtetë dhe pa standarde të barabarta tregu. Dhe problemi nuk zgjidhet duke i dhënë sistemit emra si "IA", "Diella", AKSHI ose EA Solution.
Sepse kur sistemi politik prodhon klientelizëm, favorizim dhe ligje të përshtatura, ai automatikisht prodhon "viruse" që infektojnë çdo teknologji. Inteligjenca artificiale nuk mund të krijojë transparencë aty ku nuk ka vullnet politik për konkurrencë të vërtetë.
Shifrat e prokurimeve publike janë më kokëforta se propaganda.
— Jorida Tabaku (@jorida_tabaku) May 12, 2026
1 në 2 tendera publikë jepet pa garë reale. Nga pjesa tjetër, shumica e parave përfundon tek një pakicë kompanish që qarkullojnë fondet publike prej vitesh.
Ndërkohë projektet më të mëdha të vendit kalojnë me ligje… pic.twitter.com/eDtVDzQabm
(A2 Televizion)