Përplasja për prokurimet, Berisha: Rama gënjen, po rrezikohet MSA. Përgjigjet kryeministri

Nga Anesti Barjamemaj
12 Maj 2026, 14:45 | Politikë

Panorama e Edi Ramës për prokurimet publike, për Sali Berishën është e rreme. Teksa kreu i qeverisë flet për transparencë dhe rritje të besimit, Berisha e shikon situatën ndryshe, pasi sipas tij integriteti i prokurimeve publike ka rënë me 14 pikë që nga koha që ai është larguar nga zyra e kryeministrit.

“Edi Rama rrahu gjoksin për prokurimet transparente me pretendimin se ato kanë shënuar përmirësime spektakolare duke qenë i paaftë të lexojë shifrat, t’i interpretojë grafiqet, tabelat e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që faktojnë absolutisht të kundërtën”, theksoi Berisha.

Një prej pikave ku ai ndahet me Ramën është ajo e prokurimeve sekrete. Berisha thotë se procedurat sekrete janë rritur ndjeshëm.

“Ka një rritje të jashtëzakonshme të prokurimeve sekrete. Në 8 vite të qeverisjes së mëparshme ka pasur gjithsej 18 prokurime sekrete, që të gjitha të SHISH dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sot, qindra e qindra prokurime me procedurë sekrete ka fituar Armand Frangu, që ju nuk ia gjeni dot”, deklaroi kryedemokrati.

Si rrallë herë Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që t’i përgjigjet kundërshtarit të tij. Edhe pse nuk e përmend me emër, kreu i qeverisë në një mesazh në rrjetin social X,  i qëndron bindjes së tij se integriteti i Shqipërisë në prokurimet publike është rritur.

“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë, duke thënë që integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri paska shënuar rënie! Rëndësi ka që duan s’duan ata që s’duan, sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku kemi bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje, sepse me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale”, deklaroi Rama.

Berisha ndërkohë prokurimet i lidh direkt me integrimit, ku sipas tij po shkelet edhe marrëveshja e stabilizim asociimit.

“Kjo është një shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Injorimi i këtij fakti është një akt i rëndë që dëmton shumë, për aq sa mund të dëmtojë Shqipëria tregun”, u shpreh Berisha.

Gjatë konferencës për mediat, lideri opozitar komentoi edhe dëgjesën e kryenegociatores Majlinda Dhuka në Komisionin e Jashtëm, duke e akuzuar për mashtrim. Sipas tij, Dhuka ka gënjyer parlamentin dhe qytetarët sa i takon ecurisë së integrimit të Shqipërisë në BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos