
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka deklaruar se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian nuk mund të pengohet apo vonohet nga opozita, duke theksuar se përgjegjësia për avancimin e negociatave bie mbi qeverinë, shkruan A2CNN.
I ftuar në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata në A2 CNN, Kadilli komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit protestat dhe sjellja e opozitës ndikojnë negativisht në procesin e integrimit europian.
“Jo, nuk mundet që të fajësohet opozita për proceset integruese. Kjo është e papranueshme”, u shpreh Kadilli.
Sipas tij, realizimi i reformave dhe përmbushja e indikatorëve të kërkuar nga Bashkimi Europian janë detyrë ekskluzive e qeverisë dhe jo e opozitës.
“Përgjegjësinë për të avancuar axhendën e negociatave dhe për të treguar progres e ka qeveria, e kanë ata që qeverisin”, deklaroi ai.
Kadilli pranoi se opozita mund të ketë sjellje të papërshtatshme për klimën politike që pret Bashkimi Europian, por theksoi se vonesat në proces nuk lidhen me protestat, por me çështje sensitive si korrupsioni, raportet me drejtësinë dhe krimin e organizuar.
“Nuk vonohet integrimi sepse opozita bën protesta. Vonesat lidhen me çështje si korrupsioni, raportet me drejtësinë dhe krimin e organizuar”, tha ai.
“Raportet e politikës dhe administratës me krimin janë bërë gjithnjë e më evidente. Hetimet e SPAK kanë sjellë shumë shembuj të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit me segmente të parave të pista apo korrupsionit”, u shpreh Kadilli.
(A2 Televizion)