“Një humnerë falimentimi për ata që nuk do të jenë të përgatitur”. Edi Rama foli pa dorashka për pasojat që do të kenë bizneset shqiptare në rast se nuk arrijnë standardet e BE-së në momentin e anëtarësimit. Gjatë takimit me operatorët në sektorin e prodhimit ushqimorë, kreu i qeverisë tha se procesi i negociatave duhet parë nga ata si koha për t’u përshtatur me rregullat e unionit në mënyrë që të jenë gati të përballojnë tregun e përbashkët.
“Nuk është më çështja që s’të lënë ta çosh në Itali. Çështja është se s’të lënë ta shesësh në Shqipëri sepse je pjesë e BE dhe duhet të kesh standardet e sigurisë ushqimore që i garantohen standardet e BE në momentin e anëtarësimit”, tha kryeministri, përcjell A2 CNN.
Siguria Ushqimore dhe tregu i përbashkët janë pjesë e kapitujve që po negociohen me BE, dhe këtë konferencë kreu i qeverisë e shfrytëzoi për të përçuar edhe mesazhin se procesi i integrimit po avancon.
“Lexoj dhe dëgjoj që procesi i negociatave nuk qenka proces negociatash por qenka një proces ku ne marrim urdhra dhe zbatojmë urdhrat dhe asgjë tjetër. Këto i thonë njerëz që nuk e kanë idenë se çfarë është procesi i negociatave. Ndërkohë që procesi i negociatave është vërtetë një proces negociatash, për gjëra të cilat ne na duhet pak më shumë kohë”, shtoi Rama.
Deklarata e kreut të qeverisë duket se ishte një përgjigje për kreun e delegacionit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato i cili më herët në Panel kishte bërë të qartë se integrimit nuk kërkon vetëm ligje por edhe zbatim të tyre.
“Tashmë Shqipëria ka hyrë në këtë fazë vendimtare të negociatave dhe kështu ecuria nuk matet më me qëllimet që ka Shqipëria, apo ,me miratimin e legjislacionit por matet me sistemet që funksionojnë. Shqipëria ka bërë tashmë përparim të rëndësishëm. Drejtimi është i qartë. Por hapat e ardhshëm do të jenë vendimtarë”, tha Rama.
Kapitulli i 12 i negocionit parashikon gjashtë kritere të cilat lidhen me sigurinë ushqimore ku problematika kryesore mbetet në produktet shtazore të cilat nuk plotësojnë kriteret për t’u tregtuar në vendet e BE-së. Shqipëria ka kërkuar më shumë kohë për përafrimin e këtij klasteri me standardet e bashkimit Europian. (A2 Televizion)