Zëvendës-ministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, është shprehur se qeveria po merr masa të vazhdueshme për të garantuar sigurinë ushqimore.
Komentet Guri i bëri në emisionin ‘Terminal’ me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, ku tha se do të krijohet një databazë dhe një rrugëtim i personalizuar për secilin prej bizneseve ushqimore.
Guri foli edhe për informalitetin në bujqësi e blegtori, ku tha se ka disa instrumenta për ta luftuar atë, të cilat sipas tij do të përmirësohen edhe në të ardhmen.
Ai shtoi se do të ketë një skemë kombëtare gjatë këtij viti, e cila do të jetë e përafruar me standardet e BE-së, në të cilën do u kërkohet fermerëve e blegtorëve që të prodhojnë me kushtet e BE-së.
“Një databazë dhe një rrugëtim i personalizuar për secilin prej bizneseve ushqimore. Pastaj ne i lëmë në dorë biznesit që të marrë vendimin për të shkuar përtej dhe për të siguruar vendin e tij në tregun 450 milionësh të BE-së. Neve kemi disa instrumenta që lidhen me informalitetin.
Skema kombëtare e 2026-ës synon që të jetë një skemë e përafruar me BE-në, në të cilën neve do i kërkojmë si fermerëve, ashtu edhe blegtorëve që jo vetëm të prodhojnë, por të prodhojnë me kushte që i afrohen BE-së.
Në vitin 2026 kjo do të jetë vullnetare, ndërsa në vitin 2027 do të jetë e detyrueshme, për t’u aftuar që në 2030 fermerët dhe blegtorët shqiptarë të gjejnë në BE të njëjtat kushte me të cilat ishin mësuar gradualisht në skemën kombëtare shqiptare", tha mes të tjerash zv.ministri Guri. (A2 Televizion)