
Presidenti Bajram Begaj është shprehur “i tronditur thellë” për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos rëndë një i tretë. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale kreu i shtetit u ka bërë thirrje institucioneve që të marrin masa për sigurinë në rrugë, shkruan A2CNN.
“I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë. Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital. Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Kujtojmë që katër fëmijë ishin duke luajtur në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz ML” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, përplasi tre të mitur, ndërsa një i katërt i shpëtoi mrekullisht aksidentit. Dy fëmijë humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon. (A2 Televizion)