Nisma e Mediut dhe Kols, IDU miraton dy rezoluta: Rritje 5% GDP për NATO-n dhe presion ndaj Kinës për Iranin

Nga A2 CNN
3 Maj 2026, 14:42 | Politikë

Nisma e Mediut dhe Kols, IDU miraton dy rezoluta: Rritje 5% GDP për NATO-n

Me iniciativë të kreut të PR-së Fatmir Mediu dhe eurodeputetit Rihards Kols, Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë ka miratuar në mbledhjen mbajtur në Zagreb, dy rezoluta mbi sigurinë transatlantike dhe politikën ndaj aktorëve autoritarë ndërkombëtarë.

Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, rezoluta e parë propozon rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në vendet e NATO deri në 5% të GDP-së, duke përfshirë edhe sigurinë kibernetike, industrinë e mbrojtjes dhe gatishmërinë civile. Dokumenti thekson nevojën për forcim të bashkëpunimit ushtarak dhe mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën.

Rezoluta e dytë fokusohet te roli i Kinës dhe mbështetja e saj për Iranin, duke kërkuar masa më të forta si sanksione, kontrolle eksporti dhe monitorim të investimeve të huaja. IDU shpreh shqetësim për anashkalimin e sanksioneve dhe furnizimin me teknologji me përdorim të dyfishtë që mund të forcojë Teheranin.

Organizata thekson se uniteti transatlantik mbetet kyç për përballimin e sfidave globale të sigurisë.

Njoftimi i plotë

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe Eurodeputetin Rihard Kols iniciatorë të dy rezolutave të IDU: 5% GDP për NATO dhe presion ndaj Kinës për mbështetjen e Iranit

Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU) miratoi dy rezoluta thelbësore gjatë mbledhjes ekzekutive të mbajtur në Zagreb, duke dërguar sinjale të qarta mbi rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe koordinimin ndërkombëtar kundër aktorëve autoritarë.

Rezolutat u mbështetën nga Fatmir Mediu, Kryetar i Partisë Republikane Shqiptare, dhe Rihards Kols, Anëtar i Bordit të Aleancës Kombëtare Letoneze.

‘Kriteri 2% i GDP nuk mjafton më për t'iu përgjigjur realiteteve strategjike të sotme, Aleatët duhet të lëvizin drejt 5%.’

Rezoluta 1

Mbrojtja dhe Siguria Transatlantike

Rezoluta e parë kërkon që anëtarët e NATO-s të angazhohen ndaj një kriteri të ri prej 5% të GDP-së në investime të kombinuara mbrojtëse dhe sigurie, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, gatishmërinë civile dhe kapacitetin industrial të mbrojtjes. Dokumenti thekson se mjedisi i sigurisë është ‘më i rrezikshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë’, i formësuar nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe sulmet hibride ndaj infrastrukturës kritike.

IDU bën thirrje për prokurimin e përbashkët, standardet e përbashkëta dhe bashkëpunimin industrial transatlantik, si dhe investime në mobilitetin ushtarak, logjistikë dhe rezistencë energjetike. Dokumenti riafirmon se mbështetja për Ukrainën ‘mbetet domosdoshmëri strategjike’.

 

Rezoluta 2

Kina, Irani dhe Siguria Transatlantike

IDU kundër rolit të Kinës në mbështetjen e Iranit: sanksione më të forta dhe kontroll i investimeve të huaja

Rezoluta e dytë hedh dritë mbi rolin e Kinës në ruajtjen e rezistencës ekonomike dhe ushtarake të Iranit. IDU shpreh shqetësim të thellë se Bejingu lehtëson anashkalimin e sanksioneve përmes zinxhirëve kompleksë të furnizimit dhe ofron teknologji me përdorim të dyfishtë, përfshirë komponentët e dronëve, aftësitë satelitore dhe sistemet e navigacionit.

Dokumenti nënvizon se blerja e vazhdueshme kineze e naftës iraniane të sanksionuar i siguron Teheranit burime financiare kritike, duke dobësuar regjimin ndërkombëtar të sanksioneve. IDU propozon masa konkrete: ngrirje asetesh, ndalesa udhëtimi, kontrolle eksporti dhe vëzhgim i shtuar i investimeve të huaja.

 ‘Uniteti transatlantik mbetet përgjigja më efektive ndaj koordinimit autoritar.’

Rezoluta mbështet de-eskalimin e qëndrueshëm të kushtëzuar me çmontimin e verifikueshëm të rrjeteve të përfaqësuara të Iranit dhe respektimin e sigurisë detare ndërkombëtare.

IDU, Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë, është aleanca globale e partive të qendrës së djathtë.

Mbledhja ekzekutive e Zagreb 2026 u mbajt më 1 maj në Kroaci. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos