“S’ju jap llogari ju”, debat mes Alimehmetit dhe zyrtarit socialist: Pse nuk vini në komisione?

Nga A2 CNN
8 Prill 2026, 21:30 | Politikë

Debati mes anëtarit socialist Aldo Merkoçi dhe këshilltarit të opozitës Ilir Alimehmeti në “Off the Record” nga Andrea Danglli, është shoqëruar me përplasje të drejtpërdrejta për funksionimin e këshillit dhe ngritjen e problematikave.

Merkoçi mbrojti punën e këshilltarëve, duke theksuar: “Të gjithë këshilltarët që janë në bashkinë e Tiranës, secili prej tyre mbulon një zonë të caktuar dhe është përgjegjës për të sjellë problematika e asaj zone dhe ashtu ndodh”. Ai shtoi se “në Këshillin Bashkiak ka këshilltarë të ndryshëm që vijnë dhe sjellin problematika nga zonat e tyre si socialistëve dhe demokratëve”.

Por Alimehmeti kundërshtoi ashpër këtë qëndrim, duke deklaruar: “Kjo është një gënjeshtër e madhe. Unë di që aty në seancë nuk diskutohet asnjë gjë. As në komision nuk diskutohet asnjë gjë. Nuk futet rend dite kur e bëjmë dhe me shkresë”.

Në vijim të debatit, ai u shpreh: “Ju thatë që ngrihen probleme. Unë ju thashë nuk ngrihen”, ndërsa solli edhe shembuj konkretë për investime të dështuara, duke iu referuar rrugës Zallherr-Qinam: “Ja kjo është bërë para një viti. Ja ku është duke u rrëzuar”.

Merkoçi këmbënguli në qëndrimin e tij: “Unë them që ngrihen probleme”, ndërsa Alimehmeti reagoi me tone të forta: “Ju mund të jeni, mund të mos jeni s’ka rëndësi. S’ju jap llogari juve”.

Më tej, Alimehmeti theksoi përgjegjësinë e këshilltarëve në vendimmarrje: “Ne jemi të zgjedhur për çdo çështje… kur e ngre aty dhe kur qëndron së bashku me disa të tjerë që ngrejnë kartonat bashkë për çfarëdo lloj qëndrimi, ke përgjegjësi publike”.

Debati u zgjerua edhe te çështjet demografike, ku Alimehmeti solli shifra për rënien e lindjeve: “Në total në Shqipëri, ne kemi 35% lindje më pak 2024 nga 2014… 12.450 fëmijë që i mungojnë çdo vit Shqipërisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos