Opozita do të zbresë sërish në rrugë këtë të shtunë në orën 18:00. Demokratët gjatë së premtes kanë zhvilluar mbledhjet e fundit, ku kanë përcaktuar formën e organizimit të kësaj proteste.
Sali Berisha të mërkurën tha: “Ne tani kalojmë në forma të ndryshme protestash, i diversifikojmë, kemi kreativitet. Do eksplorohen forma të reja”.
Ky paralajmërim i Sali Berishës i dhënë të mërkurën duket se po jetësohet nga strukturat e PD, pasi protesta e radhës nuk do të jetë si të tjerat. Burime për A2CNN bëjnë me dije se këtë herë nuk do të ketë fjalime në podium, duke mos përjashtuar marshimet nëpër Tiranë, bllokim rrugësh apo edhe ngujim para kryeministrisë.
Sali Berisha u shpreh: “Të gjitha format janë në konsideratë dhe kjo është vetëm protestë. Ne kemi vetëm protestë. Asgjë nuk përjashtohet. Të jemi realistë. Opsionet janë të gjitha”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në daljet e fundit për mediat ka paralajmëruar masivitet në këtë tubim. Protesta e së shtunës është e katërta për këtë vit, ku kërkesa mbetet e njëjtë, largimi i Edi Ramës dhe hapja e rrugës për qeveri teknike që do të conte vendin në zgjedhje të parakohshme.
Protesta e demokratëve vjen dy ditë pasi Edi Rama bëri ndryshime në qeveri, nga ku largoi Belinda Ballukun dhe 2 ministra të tjerë, ndërsa lëvizjet prekën 6 poste qeveritare.
Berisha mbrëmë deklaroi: “Kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme, ndryshe do të përballet me opozitën dhe popullin shqiptar”. (A2 Televizion)