Klodiana Spahiu, nënkryetare e Kuvendit, deklaroi se ka forca të errëta në protestë “që kërkojnë që me simbolin e vdekjes të përçajnë shqiptarët”.
“Në 16 vite në politikë kam arritur të kuptoj që ka momente kur dalin forca të errëta, ato që shkatërrojnë pronën e përbashkët, ato që qëllojnë me gurë mbi forcat e policisë, mbi ruajtjen e rendit dhe ato që kërkojnë që me simbolin e vdekjes të përçajnë shqiptarët. Do ta kuptoni shumë mirë se kush është pas tyre”, tha Spahiu në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Pa dyshim që ne kemi dhe shtete me të cilat ju e dini shumë mirë që i kemi prishur marrëdhëniet diplomatike, e dini shumë mirë që na kanë sulmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe janë forca që nuk i intereson anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë të jeni të sigurtë. Mjafton t'ju jap edhe një detaj tjetër: çështjen e algoritmit. Vetëm një përqindje minimale është e prodhuar brenda Shqipërisë. 80% është e prodhuar jashtë Shqipërisë. Si e shpjegoni ju këtë? Ju e shpjegoni që unë bëj një postim dhe vetëm për një fjali të postimit që s'ka ndodhur kurrë kam 3 000 reagime dhe ju mendoni që kjo është e shqiptarëve? Po ju shpjegoj fenomenin që po ndodh sot. Kështu që, mos i ngatërroni hallet e shqiptarëve se janë dy gjëra krejt të ndryshme dhe është pjesa pozitive e protestës që duhet dëgjuar, me ato që kërkojnë destabilizim, shkatërrim, që kanë gjetur një bërthamë mbështetje brenda këtu tek ne”, shtoi nënkryetarja e Kuvendit.
Më tej, Spahiu shtoi se “në këtë moment që jemi, duhet të punojmë të gjithë nga pak për ta çuar procesin e integrimit atje ku duhet”.
“Jam njeriu që në 16 vjet ka menduar që ne duhet t'i dëgjojmë në çdo moment qytetarët dhe nuk e kam parë politikën asnjëherë në këto 16 vite si përfitim, por e kam parë si një mënyrë për të mbështetur qytetarët dhe e dini shumë mirë që në këtë moment që jemi, duhet të punojmë të gjithë nga pak për ta çuar procesin e integrimit atje ku duhet”, deklaroi Spahiu. (A2 Televizion)