“Specialja, turp me një farsë të dalë nga Duma e Putinit”, Rama takon Thaçin: E kam gjetur komandatin në formë

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 12:54 | Politikë

Ndërsa në Parlament shiheshin skena kaotike, të përleshjeve mes deputetëve të opozitës dhe gardistëve, Kryeministri Edi Rama po takohej me Hashim Thaçin në Hagë, të cilin tha se e gjeti në formë të mirë.

Kryeministri sulmoi sërish Gjykatën Speciale, shkruan A2 CNN. “Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”, tha Rama.

“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar - një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin

me të qeshur Hashimi e quan “institut”. Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë. Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos