Spiropali, vizitë zyrtare në Prishtinë. Shqipëri-Kosovë, rikthehen mbledhjet e qeverive

Nga Ideal Gola
25 Shkurt 2026, 17:29 | Politikë

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të mbajnë mbledhje të përbashkët brenda këtij viti. Lajmi u konfirmua gjatë vizitës së ministres së Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali në Prishtinë.

Detaje për mbledhjen nuk janë dhënë por do të jetë e para që nga viti 2022 pasi edhe mbledhja e paralajmëruar për vitin 2023 në Gjakovë ishte anuluar për shkak të qëndrimeve të ndryshme të kryeministrave Rama e Kurti për zhvillimet e asaj kohe në veri.

“Besojmë fort që ka ardhur koha që brenda vitit 2026 të kemi një takim të përbashkët të dy qeverive në Shqipëri ose në Kosovë, ku të diskutohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, fushat me interes të përbashkët”, tha Spiropali, përcjell A2 CNN.

Pas takimit bilateral, ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se janë të përkushtuar për zbatimin e mbi 140 marrëveshjeve mes dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit.

“Në këtë frymë diskutuam sot për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe për forcimin e ndërtimit të kapaciteteve tona të brendshme diplomatike”, tha Konjufca.

Spiropali ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, me theks të veçantë kërkoi statusin e vendit kandidat si hap i parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në lidhje me dialogun për normalizim me Serbinë, Spiropali u shpreh se nuk ka rrugë tjetër përpos njohjes reciproke.

Ajo u ndal edhe tek procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kryediplomatja shqiptare deklaroi se respekton drejtësinë ndërkombëtare por e njëjta duhet të jetë e paanshme dhe nuk mund të vendosë viktimën dhe agresorin në të njëjtin plan ligjor, moral e historik.

“Ajo nuk mund të shkëputet nga konteksti i një lufte çlirimtare të një populli të tërë. Nuk mund të injorojë faktin se në Kosovë ka pasur agresion shtetëror, spastrim etnik dhe krime masive ndaj popullsisë civile shqiptare. Asnjë proces gjyqësor nuk duhet të krijojë perceptimin se historia po rishkruhet në mënyrë të pabalancuar”, tha Spiropali.

Gjatë vizitës së saj në Prishtinë, Spirpali u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentaren Albulena Haxhiu dhe me drejtuesit e partive opozitare. Ajo bëri edhe homazhe në kompleksin memorial në Prekaz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos