Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha në një intervistë në A2 CNN, se nuk janë protestat, por ajo që po bën qeveria, që i kanë prishur imazhin Shqipërisë. “Protesta veç mirë bën. Protesta nuk bëhet as për Brukselin, as për Uashingtonin. Protesta bëhet për qytetarët shqiptarë”, tha Tabaku, përcjell A2. “Nuk ka asgjë të keqe që njerëzit të protestojnë. Sot për mua e rrezikshme është rruga që ka marrë Shqipëria dhe që është duke marrë Shqipëria”.
Tabaku tha se kemi arritur në një moment që nuk duhet të fokusohemi se çfarë thonë ndërkombëtarët. “Unë nuk kam për të reshtur asnjë moment, asnjë ditë, së bashkëpunuari me ta dhe për t’ua mbushur mendjen se çfarë është e mirë dhe e keqe. Po ne duhet të fitojmë mendjet, shpirtin, zemrat, votat e qytetarëve shqiptarë dhe beteja jonë duhet të jetë këtu”, u shpreh ajo.
Tabaku tha se SHBA mbetet e interesuar shumë për Shqipërinë dhe rajonin. “Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe si rezultat i konflikteve, konfliktit në Gaza, sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, por edhe të ndryshimit të administratës, kanë pasur sigurisht një mori prioritetesh për të përcaktuar”, u shpreh ajo. “Por akti i tyre i fundit i mbrojtjes dhe siguria e tyre kombëtare e përcaktoi Ballkanin Perëndimor si një prioritet dhe përcaktoi dy prioritete që kanë lidhje me ne, që është lufta ndaj krimit të organizuar dhe klima e biznesit dhe institucionet e forta, që janë drejtpërdrejt punë e institucioneve shqiptare. Nuk do të thotë që ne bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjikë duke na vendosur ata emrin në krye të listës. Ne bashkëpunojmë për standarde, për vlera, për norma që i ka dhe duhet t’i ketë edhe Shqipëria njësoj si partnerët”.
Tabaku shtoi se Kryeministri Rama nuk është i qetë për këtë situatë në të cilën ndodhet vendi, pavarësisht diskutimeve në publik. “I pashqetësuar nuk më duket. Po le ta shohim se si do të vijojë. Unë nuk e di se çfarë mburoje politike mund t’i japë, çfarë aureole mund të marrë mazhoranca në këtë moment. Po unë di të të them që shihet me shumë shqetësim ajo që po ndodh në Tiranë nga të gjitha kryeqytetet kryesore, nga Brukseli në Berlin”, tha ajo. (A2 Televizion)