
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pjesë nga fjala e prokurorit të Hashim Thaçit në Hagë, duke e cilësuar atë një idiot ndërkombëtar. Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme përmbyllëse në Hagë, prokurori e akuzoi Thaçin se ishte i aftë të maskonte realitetin, ndërsa sipas tij gjenerali Westley Clark dhe diplomati James Rubin nuk kishin interes ta kuptonin atë.
“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Westley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar sesi funksiononte UÇK. Rubin e Clark treguan që nuk kishin interes të kuptonin se çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë që po dëgjon ky trup gjykues për të cilën do të marrë vendimet përkatëse”.
Sipas prokurorit të Hagës, veprimet e tyre nuk ishin në përputhje me standardet ligjore ndërkombëtare.
“Vendimet e tyre nuk ishin në përputhje me standarde t ligjore ndërkombëtare sa i takon kontrollit efektiv. Komandanti i identifikuar i UÇK mund të mos kishte qenë në gjendje të ushtronte komandën sikurse ushtritë e SHBA apo NATO-s, por as nuk kishte nevojë ta bënte këtë gjë. Paragrafi 613 i dosjes sonë flet për shumëllojshmërinë e hierarkive që janë të mjaftueshme për të konstatuar përgjegjësinë eprore sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare”.
Një ditë më parë Prokuroria Speciale kërkoi nga 45 vite burg, apo 180 në total, për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Këta të fundit ishin të pranishëm në sallë edhe në këtë ditë të dytë. (A2 Televizion)