Enkelejd Alibeaj, nga “Djathtas 1912”, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me ftesën për Bordin e Paqes, duke pretenduar se ajo nuk ishte personale dhe se fillimisht i ishte drejtuar Presidentit Bajram Begaj. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Alibeaj tha se Rama e ka përdorur politikisht këtë ftesë, duke e shitur si sukses individual.
Sipas tij, SHBA dhe BE prej vitesh kanë fokusuar investimin kryesor në Shqipëri te sistemi i drejtësisë dhe jo te ndryshimet politike përmes zgjedhjeve. “Amerikanët dhe europianët nuk do ta shkëmbejnë SPAK-un për asnjë bord paqeje të Ramës”, u shpreh Alibeaj, duke theksuar se drejtësia mbetet investimi strategjik dhe i panegociueshëm i Perëndimit.
Ai foli për një “legjendë urbane” sipas së cilës ftesa fillimisht i ka shkuar Presidentit, por është përvetësuar nga kryeministri, duke shtuar se dokumenti ishte një “copy-paste” i dërguar në dhjetëra vende. Alibeaj ngriti pikëpyetje edhe pse Rama nuk e ka nënshkruar dokumentin, duke e cilësuar këtë si një gafë që, sipas tij, e tradhton gjithë procesin.
Alibeaj akuzoi Ramën se është i gatshëm “të shesë copa të Shqipërisë” për të siguruar mbështetje personale ndërkombëtare. (A2 Televizion)