Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar vizitën e tij në Izrael si një përpjekje për të ushtruar presion mbi SPAK-un. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Hoxha tha se Rama po e shfrytëzon politikën e jashtme për interes personal, duke u vetëparaqitur si “lider global”, ndërkohë që Shqipëria, sipas tij, mbetet vendi më i varfër dhe më i korruptuar në Europë.
Sipas Hoxhës, kjo “shitje” publike e Ramës si faktor ndërkombëtar synon të dërgojë mesazhe frikësuese drejt drejtësisë. “Është një tentativë për t’i thënë SPAK-ut: kujdes me mua, unë jam i paprekshëm”, u shpreh ai, duke shtuar se “të gjitha rrugët e korrupsionit çojnë te Rama”.
Hoxha akuzoi kryeministrin për lidhje me grupe kriminale dhe kartele droge, duke përmendur raste të sanksionuara nga SHBA, si dhe përdorimin e parave për të ndikuar mediat dhe opinionin publik. Ai deklaroi se Rama nuk mund ta “lajë fytyrën” me vizita apo forume ndërkombëtare, përballë skandaleve të korrupsionit, vjedhjes së zgjedhjeve, aferave me tenderë, inceneratorëve dhe varfërimit të qytetarëve.
“Hallin e shqiptarëve nuk e mbulon as Izraeli, as bordi i paqes”, përfundoi Hoxha. (A2 Televizion)