“Vizita e Ramës në Izrael ndikon te Trump” - Petro Koçi: Kontratë e re e SHBA me shqiptarët, erdhi pas Bordit të Paqes

Nga A2 CNN
26 Janar 2026, 20:48 | Politikë

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, e ka cilësuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Izrael si një zhvillim me rëndësi të veçantë gjeopolitike, duke theksuar se ajo shkon përtej marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Izrael. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Koçi u shpreh se kjo vizitë ka impakt të drejtpërdrejtë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lidhet me zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, vizita vjen pas krijimit të Bordit të Paqes në Davos, ku Shqipëria ishte e ftuar zyrtarisht, si dhe pas përfshirjes së Kosovës. Koçi e interpretoi këtë si një vëmendje të shtuar të SHBA-së ndaj shqiptarëve në tërësi dhe jo thjesht ndaj një pjese të tyre në rajon, duke e quajtur një “riaktivizim të kontratës strategjike” mes Uashingtonit dhe shqiptarëve.

Ai theksoi se mesazhet e Ramës në Knesset janë në të njëjtën linjë me këtë politikë aktive të jashtme, e cila, sipas tij, nuk shërben vetëm për reputacionin moral të Shqipërisë, por lidhet drejtpërdrejt me interesat kombëtare. Koçi nënvizoi gjithashtu marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve, si dhe investimin personal të Ramës në iniciativa që lidhen me këtë trashëgimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos