"Transformimi gjinor" përplas këshilltarët e Durrësit, rrëzohet Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore

Nga Elitjona Doko
9 Korrik 2026, 16:19 | Politikë

"Transformimi gjinor" përplas këshilltarët e

Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2026–2030 ishte projektvendimi i vetëm që nuk u miratua në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Durrësit, pasi u shoqërua me debate mes këshilltarëve për terminologjinë e përdorur në dokument.

Diskutimet u përqendruan kryesisht te përdorimi i termit “transformim gjinor”. Këshilltarja e opozitës, Edlira Devolli, kërkoi saktësimin e terminologjisë, duke argumentuar se dokumenti nuk ofron qartësi të mjaftueshme dhe se formulimet e përdorura mund të krijojnë keqkuptime.

Në përgjigje, drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë Durrës, Diola Xhango, sqaroi se termi “transformim gjinor” në këtë dokument nuk lidhet me identitetin gjinor, por me transformimin e kushteve sociale dhe ekonomike të grave në situata vulnerabël. Sipas saj, plani synon fuqizimin e grave të dhunuara, të divorcuara, kryefamiljare dhe atyre që përballen me vështirësi sociale e ekonomike.

Gjatë diskutimeve u përmend gjithashtu se plani katërvjeçar parashikon masa dhe fonde për zbatimin e politikave të barazisë gjinore, ndërsa në dokument ka edhe referenca ndaj komunitetit LGBT. Pavarësisht sqarimeve të dhëna nga përfaqësuesit e administratës, projektvendimi nuk mori votat e nevojshme dhe u rrëzua nga Këshilli Bashkiak.

Ndërkohë, të gjitha 18 projektvendimet e tjera të rendit të ditës u miratuan. Ato përfshijnë miratimin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike, ndryshime në vendqëndrimet e taksive, shpronësime për realizimin e projekteve infrastrukturore, vendime që lidhen me procesin e rindërtimit dhe programet e strehimit, si dhe dhënien e ndihmës financiare për familjet e dëmtuara nga përmbytjet.

Këshilli Bashkiak miratoi gjithashtu kriteret për mbështetjen financiare të sportistëve dhe trajnerëve, dokumentin e parë të Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029, si edhe projektvendime të tjera që lidhen me administrimin e fondeve dhe zhvillimin e projekteve të Bashkisë Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos