
Gazetari Egon Loli komentoi në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN çështjen e procesit të padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK, që u ngrit nga Rama dhe Osmani gjatë takimit të Bordit të Paqes me Presidentin Trump.
Sipas Lolit, Rama dhe Osmani e përdorën mirë këtë mundësi dhe Trump e ka fuqinë për të ndikuar drejtpërdrejtë në Dhomat e Specializuara të Hagës. Loli vë në dukje se një proces i motivuar politikisht mund të zgjidhet përmes një presioni politik.
“Ai së pari është halli ynë i përbashkët, çështja e ish-drejtuesve UÇK. Kështu që e parë në këtë këndvështrim, patjetër që z.Rama dhe znj.Osmani, por znj.Osmani e ka edhe detyrë shtetërore përveç se kombëtare, bënë mirë që e ngritën si temë, pavarësisht se çfarë unë dhe të tjerë që mund të jenë kritikë me qeverinë mendojnë. Z.Rama bëri mirë që atë hapësirë prej pak minutash që iu dha e shfrytëzoi për të ngritur në Bordin e Paqes, pranë Presidentit Trump, një problem i cili qëndron, dhe është çështja e dënimit në mënyrë politike dhe të padrejtë të liderëve të UÇK. Aty pati edhe një takim 30 sekonda në përfundim të mbledhjes ku Trump foli me Ramën dhe Osmanin. Kanë qarkulluar disa teza mbi përmbajtjen e këtij takimi. Nëse është folur për liderët e UÇK, apo është folur për diçka tjetër. Përderisa procesi në Hagë ne e kemi të qartë që është i motivuar politikisht, ku mungojnë provat e akuzave…Për rrjedhojë unë mendoj që një proces i motivuar politikisht mund të zgjidhet përmes një presioni politik nga një instance politike që ka fuqinë për të ushtruar ndikimin e vet. Unë mendoj që Presidenti Trump e ka ndikimin, që të ndikojë drejtpërdrejtë në Dhomat e Specializuara në Hagë. Është një mundësi shumë e mirë që Rama dhe Osmani dje e përdorën”, tha Loli. (A2 Televizion)