Trump president i SHBA-së, deputetja: Më tremb entuziazmi i së majtës në Shqipëri, çfarë rrezikojmë

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2024, 19:40 | Politikë

Fitorja e republikanit Donald Trump është pritur me entuziazëm në vendin tonë, por deputeten Flutura Açka, e tremb entuziazmi i së majtës. Në studion e Ditarit me Bruna Çifligun në A2 CNN, ajo tha se politika amerikane nuk ndryshon për Ballkanin dhe Shqipërinë, sidomos për çështjet e drejtësisë.

“Edhe kampi i djathtë dhe i majtë në Shqipëri ka entuziazëm për zgjedhjen e Trump. Ose njëra ose tjetër ka entuziazëm të rremë. Çështjet që kanë të bëjnë me non gratën dhe ndëshkimet e opozitës kanë qenë në kohën e Trump. Cili nga ne ka të drejtë do ta tregojë koha. Entuziazmi i së majtës më tremb më shumë se i së djathtës. Se flitet për të njëjtin vokacion politike është e natyrshme që ne të jemi pro republikanëve. Por a do të na ndihmojë kjo gjë? Disa qëndrimet thelbësore nuk ndryshojnë në politikën e Amerikës në lidhje me Ballkanin dhe Shqipërinë, sidomos çështjet me drejtësinë”.

Sipas Açkës shqiptarëve mund t’ju mohohet përjetësisht Sazani, ndërsa ndëshkimet e opozitës, kanë qenë në kohën e Trump.

“Çështjet e PD kanë lidhje me drejtësinë, a po vepron drejt? Drejtësia është e financuar, mbështetur e promovuar nga SHBA. A do të ndryshojë kjo gjë për kampin e së djathtës? Për të majtët; kanë rastin tani që do të shesin Sazanin, duket si investim i madh, është e mirë për investimet e kësaj natyre, por a është kjo më e drejtë kjo për shqiptarë apo leku të shkojë te leku? Dhe shqiptarëve që iu mohua Sazani për 50 vite, do t’u mohohet përjetësisht Sazani. Mënyra si “do shitet Sazani” siç janë bërë një pjesë e mirë e natyrës shqiptare që nga ligjet si ai i Butrintit e zonat e mbrojtura, apo investimet strategjike e zhveshën bregdetin shqiptar dhe zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Shikoni si është bërë bregdeti shqiptar i paaskesueshëm nga shqiptarët e thjeshtë. nuk ka plazhe publike për shqiptarët, dhe ne politikanët nuk ua kemi krijuar siç janë në të gjithë botën. Nuk mendoj që ka kaq shumë vend për entuziazëm”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos