
Mbrëmjen e sotme Urgjenca e QSUT ka mbetur pa energji elektrike për mbi 30 minuta.
Kjo situatë ka shkaktuar tension tek pacientët, stafet mjekësore, por dhe familjarët, veçanërisht në shërbimin e reanimacionit.
Lidhur me këtë situatë, ka ardhur reagimi i kryetarit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet, i cili përmes një postimi në rrjete sociale e ka cilësuar këtë rast si tejet shokues.
Lapaj tha se në të tilla spitale dritat nuk duhet të ikin, pasi sipas tij, ata kanë linja të dyfishta dhe gjeneratorë, shkruan A2 CNN.
Ai tha gjithashtu se 8 milion euro në vit paguhen nga shteti për konçesionin e Chek up-it dhe 100 milion euro për konçesionin e sterilizimit, teksa ngriti pyetjen se ‘si ka mundësi që nuk sigurohen dot dritat për spitalin kryesor të vendit?’
Postimi i Lapajt:
QSUT është spitali qendror i vendit. Aty kryhen ndërhyrjet mjekësore më të vështira në vend. Janë pavione të tëra që kanë reanimacion. Është thjesht shokuese se si mund të ikin dritat aty! Nuk ka fare rëndësi arsyeja përse nuk ka drita, dritat aty thjesht nuk mund të mungojnë. Spitali si ai kanë linja të dyfishta, gjenerator e me radhë. Thjesht nuk mund të fiken dritat aty! Është fatale!
8 milion euro në vit për konçesionin e Chek up-it;
100 milion euro për konçesionin e sterilizimit;
Si ka mundësi që ka miliona euro për konçesione, por nuk sigurojmë dot dritat në spitalin kryesor të vendit? (A2 Televizion)