Vendimi i Gjokës: Arsyeja pse Meta hoqi dorë nga kërkesa për liri në GJKKO

Nga Armand Bajrami
13 Mars 2026, 19:57 | Politikë

Shpresa se do të merrte dritë jeshile për lirimin nga qelia nga Gjykata e Lartë i dogji të enjten ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, mundësinë e shqyrtimit të një kërkese për ndryshim mase në Gjykatën e Posaçme.

Kjo për faktin se dy kërkesa të tij për zbutje të masës “arrest në burg” gjykoheshin në të njëjtën ditë, një në Gjykatën e Posaçme dhe tjetra në Gjykatën e Lartë, dhe ish-presidenti ka zgjedhur të dëgjojë vetëm vendimin e Gjykatës së Lartë.

Në seancën e caktuar në Gjykatën e Posaçme, Meta u tërhoq nga kërkesa për zëvendësim të masës. Pas kësaj, gjyqtarja Irena Gjoka mbylli gjykimin, duke vendosur mospranimin e kërkesës për ndryshim të masës.

Referuar vendimit të Gjokës, një kopje e të cilit u sigurua nga A2, avokatët e Metës, Kujtim Cakrani dhe Gyslem Zhllima, deklaruan se ishin njoftuar nga Gjykata e Lartë lidhur me shqyrtimin e kërkesës së depozituar prej tyre, në lidhje me afatet e paraburgimit, dhe në këto kushte, në pritje të vendimmarrjes së kësaj gjykate, kërkuan heqjen dorë nga kërkesa.

Sipas vendimit gjyqësor, kjo kërkesë është konfirmuar edhe personalisht nga i pandehuri Meta, i pranishëm në sallën e gjyqit.

Edhe me gjithë pritshmëritë e ish-presidentit dhe avokatëve të tij, Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e bërë prej tyre, duke lënë të pandryshuar masën “arrest në burg” ndaj Metës, masë që ai e vuan prej gati 17 muajsh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos