
Burime nga mazhoranca bëjnë të ditur për A2 CNN se Partia Socialiste nuk do të pranojë formulën e propozuar nga Partia Demokratike për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Sipas të njëjtave burime, kandidatët që kanë mbledhur firmat e nevojshme do të kalojnë për votim në seancë plenare.
Gjithashtu, PS thekson se zgjedhja e Avokatit të Popullit do të kryhet brenda muajit dhjetor, pasi procesi është pjesë e detyrimeve që burojnë nga Bashkimi Europian.
Një ditë më parë kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se Partia Socialiste është tërhequr nga propozimi për kandidaturat e Avokatit të Popullit, duke theksuar se do të pranojë kandidatët e opozitës për këtë post.
Pas deklaratës së Ballës, homologu i tij demokrat Gazment Bardhi pranoi këtë propozim duke treguar edhe skemën se si mund të arrihet në dakordësi për Avokatin e Popullit. Bardhi në dokumentin e firmosur prej tij, propozoi që opozita të zgjedhë 6 emra e më pas, mazhoranca të zgjedhë 3 prej këtyre alternativave. (A2 Televizion)