“Vetëm ¼ e mbyllur, 10-fishohen deputetët preferencialë”, PD justifikohet për listat

Nga Indrit Maraku
25 Korrik 2024, 16:42 | Politikë

Në më pak se24 orë u bë e qartë se hapja ndaj votës preferenciale për 2/3 e listave të kandidatëve ishte një formulë që e përkthyer në realitet blindonte më shumë vullnetin e kryetarit të partisë.

Në PS nuk e kanë fshehur ndonjëherë se nuk i duan listat e hapura, ndërsa PD u detyrua të njoftonte një konferencë urgjente për shtyp, ku justifikohej përmes negociatorit të saj në marrëveshjen e arritur me partinë e Edi Ramës.

Nënkryetari i PD pohon se formula e re do të sjellë më shumë deputetë përmes votës preferenciale.

Nëse listat janë vërtetë më të hapura, A2CNN e pyeti në cilën prej tyre preferon të garojë, por Bylykbashi pohoi se i nënshtrohet vullnetit të kryetarit.

Të gjitha kalkulimet i bazoi në rezultatin e zgjedhjeve të shkuara, por duke marrë shembull vetëm qarkun e Tiranës. Kur vetë lista e PD në qarqe të tjera i rrëzoi narrativen, kërkoi të mos paragjykohet e ardhmja.

Në total janë 6 qarqet ku edhe për partitë e mëdha si PS dhe PD, listat janë de facto të mbyllura. Ka një arsye pse subjektet kryesore politike i shohin me shqetësim listat e hapura.

Bylykbash ipranoi se nuk do të ketë garanci për kuotat gjinore në garën me votën preferenciale. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos