Vota e emigrantëve, Celibashi: Kuvendi të plotësojë vakuumin ligjor, ndryshe s'bëhet

Nga Ervin Koçi
3 Nëntor 2023, 15:31 | Politikë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve deklaroi se nuk do të implementojë votimin nga jashtë vendit nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk plotëson vakumin ligjor përpara qershorit të vitit 2024. Ilirjan Celibashi nënvizoi se Gjykata Kushtetuese ia ka ngarkuar këtë detyrë deputetëve, ndaj sipas tij KQZ i ka duart e lidhura.

“Kjo është një përgjegjësi tërësisht e partive politike dhe mënyrë institucionale Kuvendit të Shqipërisë. Nëse Kuvendi, tej asaj se si do ta bëj kuptimin ligjor, në kuptim të përmbajtjes nuk e përmbush këtë detyrim nuk do të ketë votim nga jashtë. 6 muaj për t’i përgatitur këto zgjedhje janë thuajse në mënyrë kategorike për ta përmbushur këtë proces”, deklaroi Celibashi. 

Krahas votës së emigrantëve, meraku tjetër i Celibashit ishte edhe çështja e votimit elektronik. Sipas tij, kosto për ta shtrirë projektin në pesë qarqet më të mëdha të vendit kushton mbi 37milionë euro, duke kërkuar nga qeveria dhe politika që ta ndajnë këtë çështje përpara 2024.

“Do të duhet që partitë politike dhe aktorët e tjerë qeveritar të vendosin tani për votimin elektronik. Kanë interes ta shtrinë, apo nuk kanë interes ta shtrinë”, shtoi Celibashi.

Depolitizimi i një pjese të administratës zgjedhore ishte gjithashtu një porosi e Celibashit për Kuvendin. 

Me shqetësim Celibashi sheh edhe çështjen e herësit, që pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese, kërkon ligjvënien e deputetëve për të mos krijuar probleme në përllogaritjen dhe shpërndarjen e mandateve. Këto apele të kreut të KQZ shkojnë direkt për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, i cili prej gati një viti shtyn afatin pa zhvilluar asnjë mbledhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos