“PD e ka kaluar gjuetinë e shtrigave”, Xhaferri fton publikisht Sefën: Të mirëpresim të bëhesh pjesë e partisë

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2025, 22:36 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, i ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin, akuzoi mazhorancën se po përdor shumicën parlamentare si mburojë për çdo skandal, madje edhe ndaj drejtësisë. Ai deklaroi se reagimi standard i qeverisë është: “Ne kemi 83 mandate”, një qëndrim që sipas tij po e shndërron parlamentin në shërbim të interesave të kryeministrit.

Xhaferri theksoi se përballja e kryeministrit Edi Rama me drejtësinë ka kaluar në nivele absurde. “Çdo krize qeverisëse ai i përgjigjet duke thënë ‘83 mandatet’. Edhe kur drejtësia godet, ai i çon mesazh: ‘Na ke çuar në krizë qeverisëse’. Belinda Ballukun e kanë zgjedhur shqiptarët, por kur një funksionar është nën dyshime për krim, mund të prishë prova, mund të ndikojë. Këtu nis degradimi”, tha Xhaferri.

Sipas tij, problemi rrënjësor që prodhon keqqeverisje është farsa elektorale, një cikël i përhershëm ku paratë përdoren për të blerë vota dhe krimi tolerohet vetëm për të shërbyer në ditën e zgjedhjeve. “Ne kemi hyrë në një rreth vicioz: vidh para për të blerë vota. Mos dëno kriminelët se duhen ditën e votimit. Drejtorët, deputetët, strukturat, të gjithë përdoren për të treguar forcë elektorale”, u shpreh deputeti demokrat.

Ai akuzoi se edhe listat e hapura të PS-së janë mbushur me emra të zgjedhur jo për meritë apo integritet, por për kapacitet votash. “Ishin ‘alamet djemsh’, të zgjedhur për të sjellë vota, jo për të qeverisur”, ironizoi Xhaferri.

Gjithashtu Xhaferri vlerësoi Indrit Sefën, duke e cilësuar “vlerë të Partisë Demokratike” dhe duke theksuar se në zgjedhjet e prillit-majit ai duhet të ketë rolin që i takon brenda strukturave. “Partia Demokratike e ka kaluar gjuetinë e shtrigave me bashkimin e grupit parlamentar. Nuk ecet më duke sulmuar njëri-tjetrin në studio”, tha ai.

Deputeti theksoi se sfida e vërtetë e opozitës nuk është lufta e brendshme, por kthimi i garës elektorale në një proces të pastër, ku qeveritë vijnë nga mirëqeverisja dhe jo nga aparati i blerjes së votës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos